Java e Krenarisë 2023 u organizua përmes slloganit “T’du qashtu qysh je” me synim kryesor të përçimit të një mesazhi mbështetës për të gjithë që janë duke u përballur me sfidat e stresit, ankthit, dhe depresionit që janë pasojë direkte e homofobisë dhe transfobisë sistematike nga shteti, shoqëria, dhe familja. Me “T’du qashtu qysh je” kemi dashur t’ua rikujtojmë të gjithëve se nuk janë të vetëm. Dashuria, pranimi dhe ndërtimi i hapësirave të sigurta, përveç ndihmës profesionale është thelbësore për parandalimin dhe kalimin e sfidave të shëndetit mendor.
Mirëqenia psikologjike dhe emocionale e personave LGBTIQ+ duhet të jetë prioritet i institucioneve dhe politikëbërjes sonë. Për këtë arsye, kjo Javë e Krenarisë ka shërbyer si rikujtim për ne dhe institucionet shtetërore që jetët e personave LGBTIQ+ janë të rëndësishme.