Parada e Krenarisë 2026
BARAZI OSE REVOLTË!
Të veprosh është më e vështirë se të flasësh. Asnjëra, megjithatë, nuk duket se mund të jetësohen pa njëra tjetrën.
Ne kemi vendosur të veprojmë, tash e dhjetë vite me Javën tonë të Krenarisë, një institucion në vete që i ka mbijetuar të gjitha zhvillimeve sociale, politike, kulturore e akademike në Kosovë.
Këtë vit, kërkesat tona janë ato që kanë qenë gjithmonë, por më të forta, të vendosura mbi themelin e aktivizmit tonë që nuk do të përulet para propagandave të individëve e grupeve të ndryshme. Barazi ose Revoltë – slogani i edicionit të këtij viti të Javës së Krenarisë mund të lexohet në shumë forma: si një thirrje për vendosjen tonë në jetën publike, si një apel për të na ftuar aty ku merren vendimet e mëdha për jetën tonë dhe të shokëve e shoqeve tona, si një protestë për sulmet fizike e llafet urrejtëse që na adresohen në baza ditore, si një tjetër festim i ekzistencës sonë e cila, si çdo ekzistencë tjetër, nuk kërkon dhe as nuk pret pranim ose legjitimim.
Ne kemi folur e do të flasim, përmes veprave e përmes angazhimit tonë të palodhshëm ndaj të drejtave të komuniteteve LGBTIQ+ në Kosovë. Kur mbron një njeri, po mbron një njerëzim të tërë. Kur mbron një të drejtë njerëzore, po çon tutje vetëdijen e botës. Në momentumin e shoqërisë kosovare dhe asaj botërore, një avokim si ky i yni nënkupton një bashkim për barazi, drejtësi, trajtim të barabartë në çdo derë të hapësirë sonë shoqërore.
Ne po angazhohemi për funksionalizimin e strehimores së sigurtë për personat LGBTIQ+ që përballen me dhunë apo përjashtim; për njohjen ligjore të partneritetit të të njëjtit seks dhe mbrojtjen e familjeve tona; për qasje të barabartë në shërbime shëndetësore dinjitoze dhe pa diskriminim; për një arsim gjithëpërfshirës që nuk hesht mbi identitetet tona; për mbrojtje efektive nga gjuha e urrejtjes dhe dhuna. Lista është e gjatë, aq sa edhe forca jonë.
Ju ftojmë në Javën e Krenarisë, por sidomos në Paradën e Krenarisë, me datë 6 qershor në ora 19:00.
📍Agjenda 6 qershor 2026
19:00 – 19:30 – Mblidhemi te Sheshi Skënderbeu, Prishtinë
19:30 – 20:30 – Parada fillon, drejt Bibliotekës Kombëtare
20:30 – 22:00 – Koncerti përmbyllës
Më shumë informata rreth koncertit do të publikohen së shpejti.