Më 5 qershor marshuam në rrugët e Prishtinës për të shënuar 10 vjet krenari, rezistencë, guxim, solidaritet, dukshmëri, komunitet dhe dashuri.
Për një dekadë kemi festuar ekzistencën tonë pa kërkuar falje, ndërsa kemi luftuar për të drejta që nuk do të duhej të ishin kurrë në diskutim. Ne u jemi mirënjohës të gjithë atyre që na e kanë hapur rrugën deri këtu, atyre që kanë shtyrë ndryshimin përpara kur nuk ka qenë aspak e lehtë që kanë ndërtuar hapësira të sigurta kur nuk ekzistonin, që kanë folur kur heshtja ka qenë më e sigurt, dhe aleatve që na kanë qëndruar afër edhe kur kjo ka pasur kosto. Falë tyre, sot jemi këtu.
Megjithatë, edhe pas 10 vitesh, barazia ende nuk ka mbërritur. Personat LGBTIQ+ në Kosovë vazhdojnë të përballen me diskriminim, përjashtim, dhunë dhe gjuhë urrejtjeje. Shteti vazhdon t’u mohojë familjeve tona njohjen ligjore, ndërsa personat trans mbeten pa qasje në shërbime shëndetësore të sigurta dhe të domosdoshme, shpesh të detyruar të kërkojnë kujdes mjekësor jashtë vendit.
Të rinjtë LGBTIQ+ vazhdojnë të dëbohen nga shtëpitë e tyre. Për ta, ende nuk ekziston një strehimore funksionale dhe e sigurt kur përballen me dhunë e braktisje, duke i lënë në mëshirë të fatit.
Kosova pëlqen të flasë për progresin. Pëlqen të flasë për demokracinë. Pëlqen të flasë për vlerat evropiane, sidomos në periudha kur fushatat mbushen me premtime.
Por progresi nuk matet me fjalë. Matet me jetët që mbrohen, me familjet që njihen dhe me të drejtat që garantohen. Dhjetë vjet më vonë, shumë prej tyre mbeten ende premtime. Realiteti i komunitetit tonë mbetet i pandryshuar. Por ne asnjëherë nuk do të ndalemi. Derisa secili/a prej nesh të mund të jetojë i/e lirë, i/e sigurt dhe i/e barabartë në vendin që e quan shtëpi.
Kemi qenë gjithmonë këtu, jemi këtu sot, dhe do të jemi edhe nesër. Zërat tanë nuk do të heshtin, vetëm do të bëhen më të fortë.