U mbajt koncerti i Paradës së Krenarisë me ikonën Adelina Ismaili
06 07 2026
Pas përfundimit të Paradës së Krenarisë, ku mbushëm rrugët e qytetit me thirrjet tona për liri, gjithë ajo energji vazhdoi para Bibliotekës Kombëtare. Koncerti i këtij edicioni ishte një kremtim i fuqishëm i rezistencës sonë kolektive, i udhëhequr nga e vetmja, diva e skenës shqiptare, Adelina Ismaili.
Kush tjetër përveç saj mund t’i jepte kaq shumë zë e fuqi frymës së këtij edicioni? Që nga fundi i viteve ’80, Adelina ka qenë sinonim i thyerjes së tabuve dhe mbrojtjes së lirisë atëherë kur kushtonte më së shumti. Sot, prania e saj në Prishtina Pride na kujtoi se rrugëtimi ynë për barazi është i gjatë, por i mbushur me zëra të patrembur.
Nën dritat e skenës, hapësira e Biblotekës Kombëtare u kthye në një vend solidariteti ku kënduam, vallëzuam dhe dëshmuam se gëzimi ynë është akti ynë më i fushqishëm i revoltës. Faleminderit Adelina për një ditë historike, dhe faleminderit secilit prej jush që sollët kaq shumë dashuri. Ne jemi bashkë, dhe zëri ynë nuk do të heshtet kurrë!